“Progeen” pjesë e ekipit fitues për projektin ndërkombëtar të Shtëpisë së re të Fëmijëve

TIRANË – Një tjetër histori suksesi i shtohet portofolit të bashkëpunimeve ndërkombëtare të kompanisë Progeen. Në konkursin e hapur ndërkombëtar me pjesëmarrjen e pesë skuadrave prestigjioze, juria ndërkombëtare shpalli fitues projektin e propozuar nga Taller Hector Barroso, Studio B&L, Progeen L.L.C, dhe ekspertët e njohur Dorina Bleta, Agim Seranaj e Ardian Paci, për Shtëpinë e re të Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Projekti fitues arriti të harmonizojë standardet më të larta të arkitekturës bashkëkohore me nevojat specifike sociale dhe teknike të vlerësuara nga Juria.
Për Progeen, ky çmim përfaqëson një konfirmim të radhës të aftësisë për të bashkëpunuar në nivelet më të larta të inxhinierisë dhe dizajnit bashkëkohor ndërkombëtar. Përfshirja në këtë skuadër fituese tregon vizionin e kompanisë për të sjellë në Shqipëri eksperiencat më të mira, duke kontribuar në projekte që lënë gjurmë në jetën komunitare.
Projekti për Shtëpinë e re të Fëmijëve “Zyber Hallulli” u vlerësua për qasjen humane, integrimin me mjedisin dhe krijimin e hapësirave që ofrojnë dinjitet, pavarësi e ngrohtësi për fëmijët. Fokusimi i skuadrës ku mori pjesë Progeen në këtë fazë konceptimi dëshmon angazhimin e kompanisë drejt projekteve me përgjegjësi sociale dhe standarde të larta.
Ky sukses vjen si vazhdimësi e strategjisë për të ndërtuar ura bashkëpunimi me arkitektë e studio ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e transformimit urban përmes ideve inovatore dhe cilësisë pa kompromis.
Kryetari i jurisë ndërkombëtare Emre Arolat gjatë shpalljes së rezultatit tha se “ky projekt ka shansin unik të ofrojë një hapësirë me vlerë arkitekturore për qytetin e Tiranës dhe një ambient mikpritës e mbrojtës për fëmijët duke inkurajuar për ta ndjenjën e pavarësisë”.





